Deri tre vite më parë 20-vjeçarja Anxhela Meçani jetonte në periferi të Tiranës. Premtimi i të dashurit të saj për një punë si balerinë në lokalet e natës e nisi drejt Italisë, duke shpresuar një jetë më të mirë. Por ishte një iluzion që nuk zgjati shumë për shkak se Anxhela përfundoi në trotuaret e disa qyteteve në Veri të Italisë.

Jeta e saj u ndërpre brutalisht të dielën mbrëma në Torino, ku ajo kishte vetëm disa muaj që jetonte dhe punonte.

Sipas asaj që mjekët e spitalit Santa Croce në Moncalieri kanë konstatuar pasi moren trupin e saj, vajza u rrah brutalisht dhe pastaj, teksa ishte pa vetëdije, u hodh nga një makinë qe ishte ne ecje, përgjatë rrugës që çon në Stupinigi.

“Ata që e lanë trupin në rrugë, – shkruajnë mediet lokale italiane-, mendonin se vajza ishte tashmë e vdekur”.

Por një dëshmitar që pa ngjarjen u perpoq ta shpëtonte, thirri menjëherë ambulancën dhe policinë. 20-vjeçarja u dërgua në spital por përpjekjet e mjekeve për ta shpëtuar ate ishin te kota, pasi ajo vdiq pak pasi mbërriti në spital.