Një shpërthim ka ndodhur në lagjen ‘Minatori’ në Bulqizë mbrëmjen e sotme. Nga shpërthimi nuk raportohet për të lënduar, por është dëmtuar një makinë, që ishte e parkuar.

Dyshimet e para të policisë janë se mjetit i është vënë tritol. Kofano e mjetit është pjesa e dëmtuar më shumë nga shpërthimi. Dyshohet se mbi këtë pjesë të automjetit, persona të paidentifikuar kanë hedhur një sasi lënde plasëse.

Mjeti i përket T. Tancit, pronari i lavazhi që ndodhet përballë bashkisë. Burime policore thanë se Tanci rezulton pa precedentë të mëparshëm penale.

Grepi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Njoftimi i Policisë:

Rreth orës 21.40, në shesh parkimin e një lavazhi dyshohet se në pjesën e përparme të automjetit tip ‘Audi’, është vendosur lëndë plasëse, e cila ka shpërthyer duke e dëmtuar pjesërisht mjetin.

Si pasojë e shpërthimit nuk ka persona të lënduar, Automjeti është në përdorim nga shtetasi T.T, banues në Bulqizë.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po heton për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.