“Unë nuk kisha për qëllim ta vrisja, thjesht doja të mbrohesha pasi u përleshëm me njeri-tjetrin”.

Kështu e ka nisur rrëfimin e tij në polici 17-vjeçari Devi Lala, autor i vrasjes së adoleshentit 16-vjeçar Anxhelo Gjokazaj, një ditë më parë në zonën e Spitallës, në Durrës.

“U ktheva në lagje, aty ku rri gjithnjë. Aty u hasa me Anxhelon. Po më shikonte. Pse më shikon i thashë, ka ndonjë gjë për të parë?! Ai më ofendoi, më shau. I thashë, pusho se do ta pësosh keq, ai vazhdonte të më shante. Edhe unë nisa ta shaja dhe u përleshëm fizikisht. Në një moment nxorra thikën dhe e qëllova disa herë. Nuk më kujtohet se sa herë i qëllova, pasi isha në gjaknxehtësi e sipër. Por pashë që mbeti i shtrirë në tokë dhe u mbulua nga gjaku. Në këtë moment u tremba dhe u largova, pak metra më tej hodha thikën në një kanal. Nuk kishim ndonjë konflikt, thjesht antipati për njëri-tjetrin”, ka treguar 17-vjeçari Lala versionin e tij për ngjarjen tragjike të konsumuar mesditën e së premtes.

Një fjalë goje dhe një sherr për motive të dobëta i mori jetën 16-vjeçarit Anxhelo Gjokazaj, nxënës i shkollës së mesme “Hysen Çela” në Durrës.

Ndërkohë autori i ngjarjes ishte nxënës i shkollës së mesme “Naim Frashëri”. Sipas familjarëve të viktimës, të cilët folën për DurrësLajm një ditë më parë, Anxhelo kishte shkuar 5 minuta me vonesë në shkollë dhe për këtë arsye mësuesja nuk e kishte pranuar. 5 minuta vonesë që rezultuan fatale për jetën e adoleshentit Gjokazaj…!

K.H.