Fiksimi me një vajze që e pëlqen e ka futur në telashe një 26-vjeçar nga Durrësi.

Policia e ka shpallur atë në kërkim, pasi vajza, objekt i fiksimit të të riut V.Ç., ndihet e shqetësuar nga përndjekja e vazhdueshme e tij.

Mësohet se 26-vjeçari e shqetëson prej kohësh në telefon vajzën e re, e përndjek atë, madje këmbëngul që ata të rrinë bashkë.

Policia e Durrësit bën të ditur për DurrësLajm se i riu i ka kërkuar shpesh vajzës që të jetë e tij, pavarësisht se dëshira e tij nuk është e njëjtë me atë të vajzës.  

E ndodhur në këto kushte, vajza e re ka kërkuar ndihmën e policisë, duke iu trembur faktit se fiksimi i 26-vjeçarit mund të bëhej kërcënues për jetën e saj. 

Pas denoncimit të saj në polici, blutë e Durrësit kanë nisur hetimet dhe po punojnë për kapjen e 26-vjeçarit V.Ç. që akuzohet për 3 vepra penale.  

Njoftimi i policisë:

Më datë 18.02.2018, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe punohet për kapjen e shtetasit V.Ç, vjeç 26, banues në Durrës, bazuar në nenet 110, 130 e 121 të Kodit Penal.