Qarkullimi Rrugor Durrës zbatim plan masash gjatë fundjavës për rritjen e parametrave të sigurisë të përdoruesve të rrugës.

Në një njoftim zyrtar bëhet e ditur se janë kryer kontrolle për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit,  pa leje drejtimi dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Vetëm në fundjavë janë arrestuar në flagrancë 9 shtetas për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit dhe 5 shtetas për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Janë vendosur 472 masa administrative për shkelje të ndryshme dhe pezulluar 53 leje drejtimi.

NJOFTIMI I POLICISË

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës gjatë  fundjavës,  në vijim të zbatimit të planit të masave me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë në rrugë kanë ushtruar kontrolle në të gjithë akset rrugore të qytetit të Durrësit.

Shumë drejtues mjetesh janë këshilluar nga ana e Specialistëve të Qarkullimit Rrugor në respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor si: mospërdorimi i pijeve alkoolike gjatë drejtimit të mjetit, vendosjen e rripit të sigurimit, mosperdorimin e aparateve celularë gjatë drejtimit të mjetit, respektimin e sinjalistikës vertikale dhe horizontale.

Për shkelje të rënda të Kodit Rrugor dhe Kodit Penal  gjatë fundjavës janë marrë masat si më poshtë vijojnë:
 
• janë arrestuar në flagrancë 9 drejtues mjetesh duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur;
• janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh për drejtim mjeti pa leje drejtimi;
• janë pezulluar 44 leje drejtimi për tejkalim  të normave të shpejtësisë dhe 9 leje drejtimi për drejtues të mjeteve nën ndikimin e alkoolit;
•janë ndëshkuar 67 drejtues mjetesh për mospërdorim të rripit të sigurimit gjatë drejtimit të mjetit;
• janë ndëshkuar 78 drejtues mjetesh për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;
• janë ndëshkuar 62 drejtues mjetesh për parakalim të gabuar;
• janë vendosur 472 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës këshillon çdo përdorues rruge që të respektojnë  rregullat e qarkullimit rrugor duke eleminuar çdo shkak që shërben si burim aksidenti.

Kontrolle të tilla nga ana e Punonjësve të Qarkullimit Rrugor do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe fundjavë.