Persona ende të paidentifikuar kanë hedhur eksploziv në një banesë në Kamëz dhe më pas kanë qëlluar me armë në drejtim të saj.

Ngjarja është shënuar rreth orës 02:07, të kësaj të marte. Ngjarjet kanë ndodhur në pronën e Shkëlqim Halilit, që sipas të dhënave të policisë është person me precedentë penalë.

Nga shpërthimi janë dëmtuar dy makinat që ndodheshin të parkuara në oborr. 

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Informacion paraprak nga Policia Tiranës:

Më datë 14.08.2018, rreth orës 02:07, në rrugën ‘Bulevardi Blu’, në Kamëz, në oborrin e banesës së shtetasit Sh. H., është hedhur një sasi lënde plasëse e cila ka shpërthyer duke shkaktuar vetëm dëme materiale në dy mjetet e parkuara në oborrin e banesës.

Gjithashtu autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të  banesës.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.