Për rreth 3 muaj policia ka mbajtur në vëzhgim banesën e 57-vjeçarit Eno Muçollari, i cili ishte kreu i grupit prej 39 personash, të cilët kryenin trafikun ilegal të personave drejt, SHBA, Kanada dhe Britani e Madhe.

Banesa e çiftit Muçollari, e cila ndodhej tek “Kodra e Diellit” në Tiranë ishte shndërruar në një laborator ku falsifikoheshin dokumente, vizitohej herë pas here nga ndërmjetësues, rekrutues dhe sekserë të personave të interesuar për të shkuar ilegalisht në këto shtete, ku çonin pagesat por edhe identitetet dhe fotot e personave që do të pajiseshin me dokumente të falsifikuar.

Laboratori drejtohej nga Eno Muçollari dhe bashkëshortja e tij Lirie Muçollari, e cila i merrte materialet për falsifikim në Itali dhe i sillte në Shqipëri ku i përpunonte bashkëshorti.

Policia ka zbuluar se 55-vjeçarja Lirije Muçollari është larguar nga Shqipëria në datën 16 janar drejt Italisë dhe kur është kthyer 4 ditë më vonë në bagazhet e saj policia gjeti materiale që përdoreshin për falsifikim dokumentesh, si letra plastike ngjitëse, kartona si ato të letërnjoftimeve, etj.

Një pjesë e këtyre materialeve u gjetën brenda laboratorit të çiftit, fotot e të cilave janë siguruar nga “BalkanWeb”.

Rol kyç në këtë grup kriminal kishin edhe dy bullgarët e shpallur në kërkim nga policia, Dorislav Ivanov Kumanov dhe Marin Dimitrov Vasilev. Ata kishin lidhje me Luan Qyrykun që kishte rolin e rekrutuesit të emigrantëve dhe Genci osmanajn që kishte rolin e transportuesit të klandestinëve.

Dorislav Ivanov Kumanov dispononte një agjenci turistike ku nëpërmjet saj realizonte kalimin e klandestinëve shqiptarë nga Bullgaria në drejtim të Republikës Domenikane.

Ndërsa miku i tij Marin Dimitrov Vasilev bënte transportin e tyre nga Punta Cana e Republikes Domenikane drejt SHBA. Anëtarët e tjerë të grupit kujdeseshin për gjetjen e të interesuarve për udhëtime, rekrutimin e tyre, transportin dhe akomodimin në Shqipëri dhe në shtetet ku kalonin transit./BW