Një shqiptare dhe djali i saj janë arrestuar nga policia në Itali për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Ata e ushtronin veprimtarinë e tyre të paligjshme në Lucca, duke u shitur drogë të miturve. Adelina Lisi, 40 vjeçe, dhe djali i saj 23-vjeçar Hasan Lisi, e nisnin punën që në orën 08:30 të mëngjesit duke shitur doza kokaine, marijuane dhe hashashi. Në biznesin e tyre, ata kishin përfshirë edhe dhëndrin rumun, Daniel Valentin Ungureanu, 28 vjeç, i cili gjithashtu u arrestua, raportojnë mediet lokale.

Në harkun kohor të dy viteve, kjo familje kishte blerë dy shtëpi, një sipërfaqe toke dhe një makinë. Pronat e tyre u sekuestruan nga policia italiane, vlera e të cilave shkon në 200 mijë Euro. 

Gjatë operacionit të autoriteteve italiane, u sekuestruan 2 kg marijuanë, 1 kg hashash dhe 15 gram kokainë. Hetimi ndaj familjes shqiptare kishte nisur më 27 korrik të vitit të kaluar, dhe që prej asaj periudhe ata ishin mbajtur nën përgjim. Policia italiane tha se një dozë kokainë 0.8 gram e shisnin për 60 Euro, kurse 1 gram marijuanë varionte 5-10 Euro.