Policia e Shkodrës bën të ditur se ka prangosur autorin e plagosjes së një 51-vjeçari nga Malësia e Madhe, në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Në pranga ka përfunduar shtetasi Vasel Vuçinaj, i cili ka qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të banesës së shtetasit M.Ç, 51 vjeç, banues në Vukël.

Nga të shtënat, ky shtetas ka mbetur i plagosur në shpatull dhe ndodhet në spital, paraprakisht jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë:

Me datë 25.02.2018, në orët e para të mëngjesit, është marrë njoftim te Salla Operative se në fshatin Vukël, Malësi e Madhe, ka të shtëna me armë zjarri.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat policore të Sektorit Kundër Krimeve të Rënda, forcat policore të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe si dhe një grup i FNSh Shkodër për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe kapjen e autorëve.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Vasel Vuçinaj ka qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të banesës së shtetasit M.Ç, 51 vjeç, banues në Vukël, i cili ka mbetur i plagosur në shpatull dhe ndodhet në spital, paraprakisht jashtë rrezikut për jetën.

Pas një pune të mirëorganizuar të forcave policore të ndodhura në vendngjarje, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në kohë rekord e autorit të dyshuar të kësaj ngjarje së bashku me armën e krimit, konkretisht:

– Vasel Vuçinaj, 49 vjec, banues në fshatin Vukël, Malësi e Madhe

Në cilësinë e proves materiale u sekuestrua arma e zjarrit automatik si dhe në vendngjarje nga kqyrja u sekuestruan 12 gëzhoja.

Po vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes.