Policia është vënë në kërkim të një adoleshenti shqiptar, i cili është raportuar i zhdukur nga adresa ku po qëndronte në Worthing të Anglisë.

Sipas mediave britanike, personi i zhdukuar është Eduart Deda, 16 vjeç. Ai është parë për herë të fundit në banesën e tij, në 29 maj.

Nuk dihet ende nëse shqiptari është me dokumente të rregullta apo ka hyrë ilegalisht në Britani.

Sipas të njëjtave burime, të cilat i referohen policisë vendase, mësohet se, “16-vjeçari është i gjatë 1.72 m, i dobët dhe ka një shenjë në dorën e tij të majtë. Ai flet anglishten me dialekt, dhe kishte veshur një xhaketë të zezë me zinxhir, bluzë të bardhë e xhinse”.