Gjykata e Fierit ka dhënë këtë të hënë masën e sigurisë për 3 nga 8 të arrestuarit si pjesë e një grupi kriminal, që falsifikonin dokumente.

Gjykata vendosi që të lerë në burg Jetnor Hoxhajn, 41 vjeç, Eris Koliçi, 28 vjeç dhe Artan Haxhiu, 48 vjeç. Masa për të arrestuarit e tjerë do të jepet të martën.

Policia njoftoi të shtunën shkatërrimin e këtij grupi kriminal të përbërë nga 16 anëtarë, i shtrirë në disa qytete, që merrej me falsifikim dokumentesh dhe favorizim të emigracionit të paligjshëm.

Në total u arrestuan 8 persona, 2 të tjerë u shpallën në kërkim, ndërsa 6 anëtarë të dyshuar të grupit po hetohen në gjendje të lirë.