Policia italiane vuri në pranga dy ditë më parë 6 shqiptarë, 5 prej të cilëve anëtarë të një fisi, që akuzohen për trafik kokaine.

Hetuesit kishin një vit që ndiqnin veprimet e shqiptarëve të cilët shpërndanin kokainë të cilësisë së lartë në Varese.

Nga aktiviteti i tyre ditor i shitjes së kokainës thuhet se fitonin deri në 5 mijë Euro në ditë.

Policia italianë nuk ka bërë të ditur emrat e shqiptarëve të arrestuar, por vetëm inicialet e tyre që janë: M. L., 34 vjeç, M.O., 30 vjeç, M.A., 33 vjeç X.A., 27 vjeç dhe M.D., 24 vjeç dhe M.K.

“Të veshur bukur, të edukuar, të disponueshëm dhe me sjellje të shkëlqyer”, i ka përshkruar policia italiane këta shqiptarë trafikantë.

Sipas medieve italiane, thuhet se nisja e hetimeve ka filluar pas vdekjes nga mbidoza së një shqiptari. Policia gjeti në telefonin e viktimës disa numra kontakti dhe më pas nisi ndjekjen për shqiptarët.