Katër persona janë ndaluar nga policia pasi akuzohen për mallra kondrabandë për të cilat paguhet akcizë.

Në kuadër të operacionit "Vijimësia" në qytetin e Shkodrës u sekuestruan koli me cigare, rreth 15 mije euro, 7 telefona celularë dhe 3 automjete, ndërsa u kapën:

  • Aleksandër Kontic, 54 vjeç, banues në Grilë, Boriç i Vogël, Malësi e Madhe, rezident ne Podgoricë, Mali i Zi.
  • Edmond Gjolaj, 44 vjeç, banues në Bogiq Polvar, Malesi e Madhe.
  • Ardian Okaj, 45 vjeç, banues në Lagjen Skënderbeg, Shkodër.
  • Albert Hasanaj, 45 vjeç, banues në Kamicë, Malësi e Madhe.

Sipas burimeve zyrtare, ata janë ndaluar pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar kontrabandim të cigareve të markave të ndryshme nga Mali i Zi për në Shqipëri, duke importuar dhe transportuar në rrugë ilegale, jashtë pikave doganore kryesisht në zonën kufitare të Malësisë së Madhe, nga kufiri i gjelbër dhe me mjete lundruese nëpërmjet liqenit të Shkodrës.

Këto shtetas pasi i magazinonin në zonën e Malësisë së Madhe i shpërndanin ato sipas porosive në tregun e brendshëm, duke i tregtuar te persona të tjerë në Shkodër dhe në qytetet e tjera të vendit, si Tiranë, Durrës, Lezhë.

Me cilësinë e provës materiale këtyre shtetasve ju janë sekuestruar:

  • 90 koli dhe 29 steka cigare të markave të ndryshme
  • 7 telefona celular
  • 14.675 euro
  • 3 automjete

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale të "Kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë", "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale", "Mos deklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë" dhe "Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë".