Një 53-vjeçar ka humbur jetën në spitalin e burgut të Tiranës. Viktima është Gëzim Allushi, i cili dyshohet se ka pësuar infarkt

"Më datë 21.06.2018, në spitalin e burgut, ka vdekur i dënuari, shtetasi G.A., vjeç 53, banues në Kamëz. Nga veprimet e kryera rezultoi se, vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vdekje natyrale"– thuhet në njoftimin e policisë.

Allushi u arrestua më shkurt 2015, pasi u kap me 4 kallëpe dinamiti në brez. Ai u dënua me burg dhe vuante dënimin në burgun e Elbasanit. Për shkak të gjendjes shëndetësore, Allushi u dërgua në spital në Tiranë, ku pavarësisht ndihmës mjekësore nuk mundi të mbijetojë.

"Kapja e tij u bë pas marrjes në kohë të një informacioni të strukturave të policisë mbi vendodhjen e tij dhe posedimit të lëndëve plasëse. Pas kontrollit të imtësisëm të ushtruar në ambientet e një lokali ku po qëndronte  shtetasi i lartë përmendur, iu gjetën të fshehura në trup disa kallëpe lëndë plasëse (dinamit)", thuhej në njoftimin për shtyp të policisë asokohe.