Ai vrau në mënyrë makabre bashkëshorten dhe të dashurin e vajzës së tij korrikun e vitit të kaluar.

Sot, 53-vjeçari nga Kosova do të përgjigjet para Gjykatës së Shtutgartit i akuzuar për vrasje me paramendim. Në daljen e tij në gjykatë gjatë seancave të mëparshme ai ka mohuar akuzat edhe pse fillimisht ka qenë ai që ka njoftuar policinë se ka vrarë dy persona.

Mediat vendase shkruajnë se në momentin që policia kishte arritur pranë shtëpisë së tij në Nürtingen, më 17 korrik të vitit të kaluar, panë dy persona të shtrirë përtokë, të qëlluar me plumba në kokë.

Në mes të viktimave ka qenë e ulur një vajzë e re, e cila mbante në krahë fëmijën e saj të vogël, duke kërkuar ndihmë. Edhe më e keqja: Në shtëpi ka qenë ende personi i cili ka shtënë me armë.
Që nga e hëna, kosovari 53-vjeçar gjendet para trupit gjykues të Gjykatës së Shtutgartit, shkruan Stuttgarter Nachrichten.

Prokurorja e akuzon për vrasje të dyfishtë për motive të dobëta. Bravandreqësi kosovar dyshohet se e ka vrarë bashkëshorten e tij 45-vjeçare dhe të dashurin e vajzës së tij.

E ndërsa në gjykatë është thirrur në rolin e dëshmitares vajza e tij e cila i shpëtoi vrasjes. 24 vjeçarja dhe partneri i saj 40-vjeçar, më 17 korrik kanë qenë duke kaluar një mbrëmje të këndshme familjare.

Në vizitë kanë qenë nëna, tri motrat dhe mbesa e saj. Papritmas, atyre iu bashkohen edhe babai dhe vëllai i saj. Fillimisht gjithçka shkonte si është më së miri, por më vonë, babai, e sidomos i vëllai e kanë nxitur zënkën.

Si duket, familja e madhe që përbëhet prej çiftit kosovar me pesë fëmijë, është ndarë në dy fraksione.

Pasi ia kishte shkulur flokët bashkëshortes duke e ofenduar me fjalë të rënda, mësohet se ishte larguar. Makina u nis të largohej por u ndal menjëherë dhe 53-vjeçari zbret dhe qëllon me armë të dashurin e vajzës, ka rrëfyer 24-vjeçarja.

Nëna ka filluar të ikë nga vendngjarja, ndërsa i dashuri është rrëzuar përtokë. Pas kësaj, edhe nëna është rrëzuar përtokë.
Shumica e dëshmitarëve kanë deklaruar se burri ka qenë shumë xheloz dhe se ka dashur të kontrollojë edhe imtësirat më të vogla. Ai nuk ka dashur të vrasë askënd.

Pistoletën e kishte gjetur në pronën e shtëpisë të cilën e kishte blerë vite më parë. Pistoletën e kishte nxjerrë vetëm sa për të kërcënuar, pasi i dashuri i vajzës e kishte sulmuar. Plumbi ishte shkrepur pa dashje, ndërsa nuk i kujtohet fare shkrepja e plumbit të dytë, me të cilin qëlloi bashkëshorten.

Pas të shtënave, ai e kishte thirrur policinë. “Vrava dy persona, gjendem pranë kufomave”. 53-vjeçari vijon ende të jetë në paraburgim dhe procesi gjyqësor vijon akoma.