Ndalohet nga policia gjyqtari Shkëlqim Miri, të cilit iu gjetën në banesë gjatë një kontrolli 30 milionë lekë. Pas kontrollit të banese gjyqtari u ndalua nga policia dhe aktualisht mbahet në qeli.

Ai është ndaluar për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar KLD-në për rastin dhe pritet që të vendoset nëse do të jepet apo jo autorizimi për arrestin e gjyqtarit.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia mbrëmë në banesën e Mirit janë gjendur një sasi prej 30 milionë lekësh (të rinj).

Shkëlqim Miri ish-anëtar i KLD-së, prej vitit 2010 është gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës, që kur u transferua nga Gjykata e Apelit të Durrësit. Mësohet se Prokuroria e Përgjithshme ka nisur ndaj Mirit një hetim prej gati një viti.

Miri është përfshirë në ndryshimin e një akuze nga vrasje në plagosje të rëndë me dashje. Në këtë proces ka qenë i pandehur shtetasi Gentian Doda, nga Burreli i ekstraduar pak kohë më parë nga Amerika. I dënuari Gentian Doda akuzohet për një vrasje të dyfishtë në Burrel, në vitin 1997, atë të Gazmir Dedjes dhe Asllan Gjokës. Autori dhe Dedja kanë qenë pjesë e grupeve rivale në Burrel dhe kanë pasur konflikte të vijuara ndërsa Gjoka u vra aksidentalisht.