Më shumë se 26 kg drogë, përfshirë heroinë dhe kokainë janë sekuestruar nga policia italiane në Ravena, duke çuar në pranga edhe 6 persona, dy prej të cilëve shqiptarë. 

Një tjetër është shpallur në kërkim pasi dyshohet se ndodhet në Shqipëri, dhe një person i tretë është proceduar penalisht. Shqiptarët e arrestuar janë të moshës 32 dhe 47 vjeçar.

Operacioni i koduar "Amarcord", bëri të mundur sekuestrimin edhe të 39 mijë eurove. Operacioni lindi pas tentativës së vrasjes së një 32-vjeçari shqiptar në vitin 2015 në parkingun e spitalit të Ravenas, e cila mendohet se erdhi pas përplasjes mes grupeve shqiptare dhe afriko-veriore për kontrollin e trafikut të drogës në territor.

Tentativa për vrasjen e shqiptarit

Gjithçka nisi më 16 maj të vitit 2015 në parkingun e spitalit "Santa Maria delle Croci", ku 32-vjeçarit shqiptar iu ofruan tre persona, njëri prej të cilëve pa pritur e ka qëlluar me armë me të paktën 10 të shtëna, por asnjëri prej plumbave nuk e kapi atë. 

Për ngjarjen u arrestua një tunizian dhe një shtetas puliez dhe ishte i qartë motivi; mos marrëveshjet mbi pagesat mes bandave të kokainës dhe heroinës për tregun e shitjes me pakicës në provincën e Ravenës – veçanërisht në Speyer.

Mediat lokale italiane shkruajnë se heroina dhe kokaina erdhi përmes një grupi shqiptar nga Lindja në Ravenna, ku edhe presohej përpara se të shitej tek një grup i dytë tunizian që e shiste atë në tregun me pakicë.

Gjurmimi dhe përgjimi telefonik 

Përgjimi telefonik ndaj anëtarëve të bandës ishte veçanërisht kompleks pas ndryshimit të shpeshtë të telefonave celularë që përdoreshin për shitjen e drogës. 

Hetuesit pas hetimeve 3 vjeçare që përfunduan me arrestimin e 6 personave sot në mëngjes, kanë arritur të rindërtojnë hartën dhe zonat e restoranteve që frekuentoheshin nga të dyshuarit, bëri me dije prokurori Alessandro Mancini, i cili shpjegoi rezultatet e operacionit.

Konsumatorët gjithashtu kanë ardhur nga krahinat fqinje, ndërsa droga "ndryshonte dorë" disa herë, duke e bërë të vështirë për hetuesit rindërtimin e zinxhirit.