Një shtetas suedez është arrestuar në doganën e Muriqanit, pasi i janë gjetur 19 pistoleta.

Shtetasi i huaj mësohet se quhej Sebastian Rikard, 21 vjeç, dhe ishte duke shkuar për në Gjermani.

Ai ishte duke udhëtar me një linjë autobusësh duke tentuar të dalë nga Shqipëria përmes pikës kufitare të Muriqanit, me destinacion Gjermaninë.

Armët ai i ka pasur të fshehura në sendet e tij personale, por pas kontrollit të policisë, i janë zbuluar.

Njoftimi i policisë:

Tenton të trafikojë armë zjarri, arrestohet nga Policia 21 – vjeçari nga Suedia.

Sekuestrohen 19 armë zjarri “Pistoletë”.

Krahas masave për përballimin e fluksit, krijimin e lehtësirave ligjore me qëllim shmangien e radhëve dhe ofrimin e një shërbimi sa më cilësor e në kohë për turistët dhe gjithë pushuesit që vijnë në Shqipëri për sezonin veror, shërbimet e Policisë Kufitare Muriqan kanë rritur edhe kontrollin në drejtim të parandalimit dhe goditjes së paligjshmërisë, kryesisht trafiqeve të paligjshme që mund të kryhen duke përfituar nga fluksi i madh.

Si rezultat i shtimit të kontrolleve duke përdorur edhe qentë antidrogë dhe antieksplozivë është bërë e mundur që të konstatohet dhe goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit.

Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Muriqan, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit :

– Sebastian Vall, 21 vjeç, banues në Suedi.

Në PKK Muriqan në dalje gjatë kontrollit të detajuar në vijën e dytë, në çantën e 21 – vjeçarit suedez, i cili udhëtonte si pasagjer në autobuzin e linjës “Kosovë -Gjermani”, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 19 armë zjarri tip “pistoletë”, kalibër 7.65.

Veprimet po vijojnë nga Specialistët e Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Policisë Shkodër për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti të trafikut të armëve.

Materialet do ti referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” parashikuar nga neni 278/a i Kodit Penal.