Keivi Hysa, një 27-vjeçar nga Mamurrasi i kërkuar për vrasje në vendin tonë, është arrestuar nga autoritetet në Sesto San Giovani të Italisë.

Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit sqaron se “Keivi Hysa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë ka caktuar masën e sigurimit personal, “Arrest me burg”, për veprën penale të “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim”.

Hysa akuzohet se më 10 Korrik të 2015-s rreth 01:00, në qytetin e Sarandës, si rezultat i një mosmarrëveshje për motive të dobëta të ndodhur një natë më parë me pronarin e një auto-lavazhi makinash, në bashkëpunim me Elion Hysën dhe Ledi Hysën kanë vrarë me armë zjarri Edmond Mehmetin.

Policia sqaron se Interpol Tirana në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Drejtësisë, po kryejnë të gjitha veprimet procedurale për ekstradimin sa më të shpejtë në Shqipëri.