Një ditë pas kapjes së autorit të dyshuar të vrasjes së 28-vjeçarit Mario Majollari, Policia e Tiranës ka dhënë informacion zyrtar për operacionin që çoi në kapjen e Kastriot Gjuzit, ndalimi i të cilit u bë falë bashkëpunimit me policinë e Kosovës.

Shkëmbimi i informacionit në kohë reale mes Policisë Shqiptare dhe asaj të Kosovës si dhe falë gatishmërisë së Policisë së Kosovës për të bashkëpunuar, çoi në kapjen dhe ndalimin e autorit të dyshuar të vrasjes së Mario Majollarit.

Shërbimet e Departamentit të Policisë Kufitare të Kosovës, bënë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim nga Policia Shqiptare: Kastriot Gjuzi, 40 vjeç, i lindur në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 10.04.2018, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, ku u vra me armë zjarri Mario Majollari”, thuhet në njoftimin e policisë.

Më tej, sqarohet se Gjuzi, me qëllim shmangien e hetimeve ndaj tij kishte kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin jeshil në “Republikën e Kosovës”, ku dhe u kap nga Departamenti i Policisë Kufitare të Kosovës.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës në DVP Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë u bë ndalimi i shtetasit të lartpërmendur, i cili përballet me akuzat e “Vrasjes për gjakmarrje” dhe ”Mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, e mbyll njoftimin e saj policia e Tiranës.