Tentoi t’i shpëtonte policisë, ndërsa udhëtonte me BMW e blinduar, por u prangos nga efektivët e Lushnjes për armëmbajtje pa leje dhe mosbindje ndaj urdhrit të uniformave blu.

Julian Sulo ishte duke udhëtuar me një automjet tip BMW të blinduar, kur në lagjen “Gafur Muço” të Lushnjes iu kërkua nga policia të ndalonte për kontroll.

37-vjeçari nuk iu bind urdhrit dhe u arratis, duke braktisur më pas makinën dhe u largua në këmbë nëpër rrugicat e qytetit. Uniformat blu të Lushnjes dhe FNSH e Fierit u vunë në ndjekje të tij, dhe e arrestuan në lagjen “18 Tetori”.

Në afërsi të mjetit të braktisur u gjet një pistoletë tip “Grand Power Q 100”, një krëhër me 15 fishekë dhe një fishek në folen e fishekut, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Po kush është biznesmeni i arrestuar nga policia?

Julian Sulo është me origjinë nga Karbunara e madhe dhe njihet si biznesmen në Lushnje.

Ai gjithashtu njihet ndryshe edhe si “Juli i Pashakos”.

Para disa muajsh, emri i tij u përfshi në hetimet per masakrën e Lushnjes ku u vranë 2 persona dhe u plagosën 2 të tjerë. Por pasi u vetëdorezua, ai është lenë i lirë, raporton GSH.

Edhe pse u përfol si personi i tretë i përfshirë në vrasje, blutë nuk kanë arritur të gjejnë një lidhje mes tij dhe krimit, duke e lënë të lirë.

Rreth një vit më parë 36-vjeçari u plagos 10 herë më thikë nga Arjan Aliço, anëtar i bandës së Aldo Bares.