Tre persona me armë dhe maska kanë dhunuar një student në Ksamil, e kanë lidhur dhe i kanë marrë makinën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së premtes, rreth orës 07:30, ndërsa i riu Petro Lula ndodhej në banesën 4-katëshe të familjes së tij.

Tre persona të maskuar dhe me armë kanë hyrë nga dera e pasme e vilës, e cila përdoret si shtëpi pushimi gjatë sezonit veror.

Pasi ka dëgjuar lëvizje të dyshimta, i riu është zgjuar dhe është përballur me autorët në shkallët e katin e dytë të vilës. Lula është student në Universitetin e Tiranës, filiali Sarandë, në vitin e parë në degën anglisht, raporton Panorama.

I riu është rrahur keqas e goditur me hekurin e pistoletës që mbante një prej grabitësve deri në gjakosje.

Më pas, tre autorët e kanë lidhur 23-vjeçarin Lula dhe kanë nisur që të kontrollojë banesën duke marrë çfarë kanë mundur të gjejnë. Në fund, kur kanë dalë në oborrin e vilës, kanë marrë çelësat e vilës, të makinës dhe bashkë to edhe makinën tip “Benz”, me targa AA 322 DP dhe janë larguar.

Policia e Sarandës, e njoftuar në telefon nga vetë i dhunuari, ka shkuar me të marrë njoftimin në vendngjarje dhe ka ngritur pika kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Për t’u marrë në pyetje janë shoqëruar mbi 10 persona, të cilët mund të japin informacion të vlefshëm për grupin hetimor.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet Policore kanë shkuar menjëherë pranë vendit të ngjarjes dhe nga verifikimi paraprak, ka rezultuar se: Në Ksamil, rreth orës 07:30, në banesën e shtetasit P.L., kanë shkuar tre shtetas të maskuar e të armatosur me armë zjarri, të cilin e kanë rrahur e goditur me qytën e armës dhe e kanë lidhur. Autorët e maskuar i kanë marrë çelësat e banesës dhe kanë hyrë për të vjedhur. Më pas i kanë marrë dhe mjetin tip “Benz”, me targa AA 322 DP dhe janë larguar.