Një 46-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali për tentativë vrasje ndaj një çifti të moshuar. Në prangat e policisë ka rënë Artur D. 46 vjeç, i cili ka sulmuar një çift të moshuar në Vittuone të Milanos.

Sipas mediave italiane, shqiptari në kulmin e një debati me të moshuarit goditi me grushte gruan e më pas ka shtyrë të shoqin e saj, i cili ka rënë nga shkallët duke përplasur kokën në dysheme.

I bindur se e kishte vrarë, ai ka shkuar në stacionin e policisë duke u thënë se ka vrarë një njeri. 46-vjeçari ndodhet nën arrest për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, ndërsa i moshuari është transportuar në spital në gjendje të rëndë, po ashtu edhe e shoqja e cila është në gjendje më të mirë shëndetësore.

Shqiptari ka precedentë të mëparshëm penalë për dhunë ndaj ish-bashkëshortes së tij. Ngjarja ndodhi kur Artur D. shkoi në pallatin ku kishte jetuar deri para disa muajsh për të ndihmuar të birin të shpërngulej. Teksa zbriste plaçkat poshtë pallatit bashkë të birin dhe nipin, takoi çiftin e moshuar, me të cilët kishin pasur mosmarrëveshje në të kaluarën.