Policia e Divjakës ka ndaluar 28-vjeçarin Kleanthi Todri, banues në Gradishtë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, e ka dënuar me 7 muaj e 3 ditë burg, për veprën penale  “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, parashikuar nga neni 109/b i Kodit Penal.

Klenathi Todri, një vit më pare, u akuzua nga një nënë e re e divorcuar, me të cilën kishte pasur një raport të shkurtër, se e kishte kërcënuar me jetën e vajzës së saj 2-vjeçare nëse nuk i jepte 4 mijë euro.

"Më jep 4 mijë euro ose të zhduk ty dhe vajzën",i shkroi Todri gruas së re në celular. Pas denoncimit, Todri përfundoi pas hekurave, por arriti ta fitonte shpejt lirinë me seanca gjyqësore.

Në gjyqin që u zhvillua verën e 2017-ës, Todri para gjyqtarit tha se se nuk e kishte ditur se po kryente një vepër penale.  “E nisa si lojë, për shkak të prishjes së raportit. Nuk e dija se po kryeja një vepër penale”, është shprehur ai në seancë.