Me pantallona të shkurtra, bluzë të zezë ai duket krejt normal. Një djalë i zakonshëm e jo një vrasës gjakatar ashtu siç është. Duket i qetë dhe kamerën e shikon drejt e në sy, nuk shpreh frikë megjithëse vrau 8 njerëz dhe ngriti në këmbë gjithë policinë.

Ridvan Zykaj, 24-vjeçari që vrau pasditen e djeshme 8 persona në fshatin Resulaj të Selenicës është kapur nga policia pas më shumë se 12 orësh kërkime nga forca të shumta në periferi të Selenicës. Me vete i është gjetur edhe arma e krimit, shkruan BalkanWeb.

NGJARJA

Gjithçka kishte nisur para 5 vitesh kur familja Zykaj kishte akuzuar autorin e krimit, se i kishte vjedhur 5 pula deti.
Pas shumë debateve përgjatë kësaj kohe, siç duket 24-vjeçari nuk e ka përtypur dot këtë akuzë, ndërsa vendosi që të hakmerrej në mënyrën më monstruoze, duke shuar dy familje. Debati më i fundit mes autorit dhe familjes Zyka kishte ndodhur vetëm para pak ditësh për bagëtitë.

Ndërkohë, dje i riu bashkë me familjen e tij, (jetonte me prindërit, motrën dhe vëllain) kishin qenë në një drekë familjare tek një kushëriri i tij, pasi ky i fundit ishte kthyer nga emigrimit. Teksa dyshohet se ka qenë në efektin e alkoolit, i riu është ngritur më herët se familja e tij nga dreka, ndërsa është drejtuar për në shtëpi.

I riu pasi ka rrëmbyer kallashnikovin, ka hyrë në banesën e Demir Zykajt, vëllait të gjyshit të tij (familja me të cilën kishte konflikte) dhe ka hapur zjarr, duke e lënë të vdekur.

Fill pas tij ka vrarë edhe gruan e Demirit, bashkë me djalin dhe nusen e tij. Por Ridvani nuk është ndalur me kaq. Pasi ka dalë nga banesa e parë, i është drejtuar tjetrës ngjitur, ndërsa ka qëlluar ndaj djalit të Demirit, gruas së tij dhe dy fëmijëve të mitur, 17 dhe 9 vjeç. Fill pas krimit të rëndë, që la pas 8 të vdekur, autori është larguar bashkë me armën. Sapo u sinjalizua për ngjarjen, forca të shumta të Policisë, Renea, Delta Forcë, FNSH, dhe forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë vënë në ndjekje të tij dhe është arrestuar pas 12 orësh kërkime.

VIKTIMAT

1- Demir Zykaj, 75 vjec (Vellai i gjyshit të autorit)
2- Ferie Zykaj, 72 vjece, (Gruaja e Demirit)
3- Besim Zykaj, 42 vjeç (Djali i demirit)
4- Vasilika Zykaj, (Gruaja e Besimit)
5- Sara Zykaj, 17 vjeçe (Vajza e Besimit)
6- Ledjon Zykaj, 9 vjec (Djali i Besimit)
7- Azem Zykaj (Djali i Demirit)
8- Afërdita Zykaj (Gruaja e Azemit)

NJOFTIMI I POLICISË

Si rezultat i punës së mirëorganizuar, krehjes së territorit, kontrolleve të shumta dhe pa ndërprerje gjatë gjithë natës edhe me anë të qenit gjurmes, të përdorur nga ana e strukturave Policore të DVP Vlorë, Renea, Fnsh dhe Delta Forcë, u bë e mundur kapja e autorit të krimit Ridvan Zykaj në një zonë periferike në dalje të Selenicës.

Gjithashtu u sekuestrua edhe arma e krimit, një kallashnikov.
Autori është shoqëruar në DVP Vlorë, për veprimet e mëtejshme.

Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese, ndaj dy ose më shumë personave”, parshikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal.