Janë hapur këtë të dielë dyert e mortit për çiftin Boran Berçana e Silvana Ndoci, të vrarë orët e para të mëngjesit me breshëri arme në brendësi të makinës së tyre në qytetin e Shkodrës.

Pritjet do të kryehen në shtëpinë e ish efektivit të policisë, Boran Berçanës. 

Ndërkohë, përmes një postimi në rrjetin social, motra e Silvana Ndocit ka dhënë një mesazh mjaft prekës. Ka postuar foton e çiftit që mbeti i vrarë dhe një mbishkrim që del nga zemra e saj, për motrën dhe bashkëshortin.

“Pushofshi në paqe. S’do t’ju harrojmë kurrë. Do jeni gjithmonë në zemrat tona”.- shkruan Antoneta Ndoci.

30-vjeçari dhe 24-vjeçarja janë vrarë në mënyrë mafioze këtë të diel nga persona ende të paidentifikuar nga policia. Autoritetet më vonë kanë gjetur një makinë të djegur, e cila dyshohet të jetë e atentatorëve.

Janë hedhur në tavolinë disa pista për të zbardhur këtë vrasje të rëndë, ku u përfshi dhe foshnja e çiftit të shkodranëve. Djali i tyre, vetëm 1 vjeç, arriti të shpëtojë mrekullisht nga plumbat.

Babai dhe nëna e tij arritën ta ruanin me trupat e tyre djalin, i cili kur u gjet nga policia ishte i mbuluar në gjak.