Në një konferencë për mediat ditën e sot, drejtori i Policisë së Shkodrës Gjovalin Loka, dhe prokurori Anton Martini kanë bërë me dije se është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes së ndodhur në 13 Janar 2018, ku shpërtheu një sasi e madhe lënë eksplozivi, duke lënë të plagosur disa persona.

Kanë qenë RENEA, FNSH dhe policia lokale e Shkodrës, të cilët kanë vënë në pranga dy persona, të cilët janë autorë të vendosjes së eksplozivit, ku shënjestër ishte Lulzim Kulla, i njohur edhe si i forti i Shkodrës.

Siç bëhet e ditur, të arrestuarit janë Endri Çopja 29 vjeç dhe Argel Lulaj 31 vjeç, të dy banues në Elbasan, pasi Gjykata e Shkodrës kishte caktuar masë sigurie "Arrest në burg, në mungesë", për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim", “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, të kryera në bashkëpunim.

Gjithashtu, Loka ka bërë me dije se në pranga është vënë edhe Serxho Teta, 24 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Veprime që pengojnë̈ zbulimin e së vërtetës”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa celulare, 4 automjete, 2 nga të cilat janë përdorur nga autorët ditën e ngjarjes, 6 000 euro, tre maska dhe fishekë luftarake.

Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër vazhdon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj vepre penale.