Tre të rinj të cilët shpërndanin kokainë nëpër kryeqytet, janë arrestuar nga policia e Tiranës. Ata janë Gersi Çeça, 28 vjeç, Renaldo Dalipi, 25 vjeç dhe Albian Avdo, 27 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Në një njoftim për mediat, policia thotë se në kuadër të operacionit të koduar “Pizza Porosi” për këta tre persona kishte informacion se në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin kokainë në zona të ndryshme të Tiranës dhe për të shmangur kontrollet e policisë, shpërndarjen e bënin me motorin e picerisë ku punonin.

“Nga Seksioni kundër Narkotikëve është organizuar puna për kapjen e tyre në flagrancë dhe më datë 11 qershor, Renaldo Dalipi është konstatuar duke lëvizur në rrugën “Gani Domi” me mjetin “Audi” dhe gjatë kontrollit të ushtruar në mjet nga shërbimet e Policisë i është gjetur një qese me lëndë narkotike e dyshuar e llojit Kokainë. Gjithashtu është ushtruar kontroll në picerinë ku të tre këta shtetas punonin, ku dhe u bë ndalimi i dy bashkëpunëtorëve të tjerë (shtetasve Gersi Çeça dhe Albian Avdo)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

– 200 gramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit Kokainë
– Automjet tip “Audi”
– Motori i Picerisë
– Tre aparate celularë
– Fishekë