Policia e Tiranës ka pezulluar nga detyra punonjësin e Policisë Rrugore, i cili mbrëmjen e së martës u shfaq në një video të transmetuar në emisionin “Stop”, duke falur shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor në këmbim të parave.

Në një njoftim për mediat policia informon se:

"Në lidhje me videon e publikuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “STOP”, në TV Klan, ku shfaqet një punonjës i Policisë Rrugore, me pretendimin se duke shfrytëzuar atributet që i jep funksioni si punonjës policie favorizon drejtuesin e mjetit në këmbim të përfitimit financiar, duke mos e ndëshkuar për shkeljen përkatëse të Kodit Rrugor, ju bëjmë me dije se:

Pas verifikimeve paraprake, u bë pezullimi nga detyra i punonjësit të policisë I.K., me detyrë trup shërbimi/agjent verifikues në Seksionin e Menaxhimit të Trafikut Urban pranë Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë.

SHÇBA ka filluar veprimet proceduariale dhe hetimore, të cilat janë referuar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë."