Policia ka arritur të zbardh ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në qytetin bregdetar të Vlorës ku mbeti i plagosur me armë zjarri një shtetas.

Ngjarja ndodhi në lagjen “Rilindja”, ku brenda ambienteve të një lokali mbeti i plagosur më armë zjarri shtetasi Arben Gerbi, 51 vjeç.

Nga hetimet paraprake të kryera ka rezultuar se autori, shtetasi T.B., ka shkuar në ambientet e lokalit të shtetasit V. N., dhe ka qëlluar me armë zjarri shtetasin Arben Gerbi, si dhe i ka marrë një shumë lekësh.

Në përfundim të hetimeve paraprake Policia ka bërë shpalljen në kërkim dhe po punon për kapjen e autorit, shtetasit T.B.

Gjithashtu është kryer arrestimi në flagrancë i shtetasit V. N., 51 vjeç, banues në Vlorë, pasi nuk e ka kallëzuar krimin, ka penguar në zbardhjen e ngjarjes, si dhe në lokalin e tij organizonte lotari të palejuara.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë në ngarkim të shtetasit T.B., për veprat penale “Vjedhja me armë”, dhe “Plagosje e lehtë me dashje”, si dhe në ngarkim të shtetasit V. N., për veprat penale “Moskallëzim krimi”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”, të parashikuara nga neni 140, 89, 300, 301 dhe 197 të Kodit Penal.