Dy persona janë arrestuar në kuadër të operacionit policor “GOES ON”, si edhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Artur Popa 46 vjeç, i dënuar më parë, si dhe Valtor Cala 30 vjeç, janë dy të arrestuarit në përfundim të operacionit të policisë Lezhë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit. Gjithashtu janë shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorët e tyre, por për shkak të hetimit nuk jepen të tjera të dhëna për ta.

Në cilësinë e provës u sekuestruan; 3 mina me telekomandë të pajisura me telefon për shpërthim në distancë; 55 gramë lëndë narkotike e ngjashme me atë të vajit të hashashit; 14 telefona celularë; dy automjete; 3 fitila si ato zjarrpërcjellës.

Bëhet e ditur se sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative kishte regjistruar procedimi penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, ku si rezultat i një pune disa javore me metoda speciale të hetimit u arrit të dokumentohej aktiviteti i tyre kriminal.

Mësohet se Artur Popa me automjetin e tij me targë AA 811 GF , i shoqëruar nga automjeti tjetër me targë AA 733 DM, që drejtohej nga shtetasi Valtor Cala, transportonte 3(tre) mina me telekomandë ku në hyrje të qytetit të Lezhës, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë duke kapur në flagrancë të dy shtetasit e lartpërmendur.

Gjithashtu gjatë kontrollit ndaj 46-vjeçarit Popa iu gjet dhe një sasi prej 55 gramë lëndë narkotike e llojit cannabis sativa e ngjashme me atë të vajit të hashashit.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Mbajtja e bombave dhe minave me telekomandë në mjedise publike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.