Policia e Shtetit ka prangosur 40 persona në disa qytete të vendit, të cilët ishin përfshirë në trafik emigrantësh nga Shqipëria drejt SHBA-së dhe Kanadasë me vizave dhe pasaportave false. Operacioni  është zhvilluar gjatë natës në disa qytete, Tiranë, Lezhë, Kukës, Fier, Dibër, Shkodër dhe Korçë.

Në total janë 51 persona të përfshirë në këtë skemë, 40 janë arrestuar, ndërsa të tjerët janë në kërkim. Përveç të arrestuarve në Shqipëri, disa persona janë ndaluar në Amerikë dhe Kanada nga autoritetet. 

Mes të ndaluarve mësohet se ka dhe zyrtarë dhe punonjës policie. Banda kriminale dërgonte emigrantë në SHBA dhe Kanada kundrejt vlerave të ndryshme monetare. Hetimet për bandën kishin nisur disa muaj më parë, ndërsa mbrëmë u finalizua.

Në vijim pritet një konferencë nga Policia e Shtetit për të dhënë më shumë detaje për emrat e personave që janë arrestuar, në operacionin që ka nisur që pasditen e djeshme. Pak ditë më parë në Fier u godit një tjetër grup kriminal me 16 persona, që falsifikonin pasaporta për në Angli.