1.5 kg heroinë është sekuestruar në pikën kufitare të Kakavijës. Sipas njoftimit të policisë, në pranga ka rënë një 37-vjeçar nga Fieri në lidhje me këtë rast të trafikut ndërkombëtar droge të mbetur në tentativë.

Elton Ferko po udhëtonte me autobus drejt Greqisë, kur gjatë kontrolleve iu gjet lënda narkotike e fshehur në çantën e tij e ndarë në disa pako.

Pas procedurave të kryera në sistemin TIMS nga punonjësit e policisë Kufitare Kakavije, autobuzi është kaluar në vijën e dytë për një kontroll më të imtësishëm.

Nga kontrolli fizik i ushtruar nga punonjësit e Policisë Kufitare shtetasit të mësipërm iu gjetën dy pako në trup dhe një pako në çantën e dorës me lëndë të dyshuar narkotike Heroinë.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283/a/1 i Kodit Penal.