Gjashtë ditë pasi u godit me thikë nga nipi i tij adoleshent, Shaban Agaj ka ndërruar jetë.

Burime nga Spitali i Traumës në kryeqytet, ku 80-vjeçari ndodhej i shtruar, konfirmojnë për tvklan.al se i moshuari ndërroi jetë pasditen e së mërkurës.

Ai ndodhej në Reanimacion që prej së enjtes së shkuar, kur u godit 4 herë me thikë nga nipi i tij 19-vjeçar, Beniamin Kaso.

I moshuari i ishte nënshtruar disa ndërhyrjeve, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

Mesditën e 12 tetorit, Shaban Agaj, i cili festonte 80-vjetorin e lindjes, së bashku me bashkëshorten e tij Hajrije Agaj, 77 vjeçe, u goditën nga 4 herë me thikë nga djali i vajzës së tyre.

Ngjarja e rëndë ndodhi në apartamentin e të moshuarve te zona e “Freskut”, pas një konflikti që kishte nisur për shkak të mosmarrëveshjeve për paratë.

Beniamini jetonte në Gjermani me të ëmën dhe kishte pak kohë që kishte ardhur në shtëpinë e gjyshërve të tij. Ai u arrestua menjëherë pas ngjarjes, ndërsa tashmë do të duhet të përballet edhe me akuzën e vrasjes.