Detaje të tjera dalin në dritë nga vetëvrasja e punonjësit të Patrullës së Fierit, Kastriot Fafaj. Ky i fundit u vetëvra me armën e shërbimit brenda ambienteve të Policisë Vendore të Fierit.

46-vjeçari, baba i dy fëmijëve, sapo kishte mbaruar turnin kishte shkuar që të pushonte në fjetoren e policisë, pranë komisariatit, brenda rrethimit të drejtorisë. Paraprakisht mësohet se koleget kanë dashur të hyjnë në dhomën ku gjendej Kastrioti, por duke qenë se dera ishte e mbyllur kanë nisur që t’i thërrasin nga dritarja.

Meqë 46-vjeçari nuk reagoi, kolegët e tij u detyruan që të shkelmonin derën, ndërsa u përballën me një skenë të rëndë, Kastriot Fafajn e gjetën të pajetë. Ai kishte qëlluar veten me armën e shërbimit me puthitje në gjoks, ndërsa plumbi e ka kapur në zemër, dhe për këtë arsye nuk është dëgjuar as zhurma.

Deri më tani dyshohet se shkak i këtij akti të rëndë është bërë lëvizja e tij nga detyra, pasi një muaj më parë ai ishte inspektor në zonën e Semanit, ndërsa tani punonte në Patrullë. Aktualisht policia po punon për zbardhjen e ngjarjes.