Merr një rrjedhë tjetër vrasja e vëllait të ish-deputetit socialist në Lezhë, Arben Ndoka. Vrasja e Aleksandër Ndokës ngriti menjëherë dyshime se gjithçka mund të kishte ardhur nga konfliktet e mëparshme të familjeve me të cilat kishte patur konflikte fisi Ndoka.

Për këtë arsye menjëherë në portat e tyre trokitën misionarë të pajtimit të gjaqeve, të cilët siç e do tradita kanë pyetur 3 fiset me të cilët Ndokajt kanë patur konflikte, nëse ato kishin gisht në vrasjen e 48-vjeçarit. Por ata jo vetëm që e kanë mohuar, por janë shprehur te gatshëm që siç e do Kanuni, së bashku me pjesëtarë të familjes Ndoka, përpara tyre të betohen në kishë mbi Bibël, duke theksuar se ata nuk kanë qëlluar mbi Ndokën.

Nëse ky version merret për bazë nga familja Ndoka, atëherë hetimet mund të marrin një tjetër rrjedhë, për të çuar drejt zbulimit të emrit të autorit të vrasjes së 48 vjeçarit në qendër të Lezhës, pikërisht në sheshin “Nënë Tereza”, raporton Rozafa TV.

Policia nga ana e saj po heton në disa pista e dyshimet më të forta i ka tek konfliktet e krijuara për shkak të pozicionit politike dhe shtetëror që ka patur Aleksandër Ndoka, këshilltar bashkiak, jurist dhe së fundmi drejtues i IKMT për veriun. Ky detaj i misionarëve ka rezultuar surprizues edhe për faktin se tradita në fiset e Malësive është i njohur, por jo për masën e gjerë dhe vetë policinë e shtetin Shqiptar, i cili ka instrumenta të tjerë hetimi.

Gjithsesi do të jenë hetimet e thelluara, pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përreth tashmë të sekuestruara nga policia që do të ndihmojnë më shumë mbi zbulimin e kësaj ngjarje të rëndë që tronditi Lezhën.