Komedia “8 femrat” me regji të Driada Dervishit ka mbërritur këtë fundjavë ne Durrës në shfaqjen e saj të 11-të. Pas suksesit në Korçë e më pas në Tiranë, regjisorja u kthye tek artdashësit e qytetit të saj, të cilët menjëherë kanë treguar interes shumë të madh për shfaqjen. Biletat janë shitur menjëherë për dy netët e para, ndërsa interesi ka qenë shumë i madh edhe për të hënën e të martën në mbrëmje.

“8 femrat” ka bërë bashkë për herë të parë disa nga aktorët më të mira të skenës shqiptare si Yllka Mujo, Olta Daku, Rajmonda Bulku, Zamira Kita, Merita Çoçoli si dhe brezin e ri të aktorëve që do të vazhdojnë traditën e aktrimit në teatër si Klodjana Keço, Blerta Belliu, Ilda Pepi dhe Paola Kodra.

Komedia zbërthen misterin e gënjeshtrave, të fshehtave që mbanin anëtarët e një familjeje ndërmjet njëra-tjetrës si dhe intrigave që ato thurrnin për marrjen e testamentit të pasurisë nga gjyshja. Një gjë është e sigurt, regjisorja dhe aktorët për rreth 2 orë do të mbajnë pezull frymën e publikut, duke i larguar nga jeta e përditshme, thotë regjisorja Dervishi në një intervistë për “DurrësLajm”.

Të gjitha këto zbulohen nëpërmjet një provokimi që thur babai me vajzën e vogël dhe lojës që zhvillohet më pas për të zbuluar vrasësin e babait, një vrasje e trilluar kjo nga vajza e vogël dhe që nxjerr në pah të vërteta tronditëse të kësaj familjeje.

Ndjekim intervistën.

K.H.