Brenda shtëpizës së ideve artistike të piktores Jonida Kanto (Koçi) mund të gjesh mbi 60 punime të ndryshme në pikturë, të cilat përcjellin për dashamirësit e artit gjendjen emocionale të saj nëpërmjet teknikës së vajit dhe akrilikut. Kohët e fundit, Jonida ka zgjedhur të eksperimentojë me ngjyrat, duke dalë nga ngjyrat e errëta për të zhvilluar më shumë imagjinatën e atyre që duan punimet e saj. E vendosur në një ndër rrugicat më të vjetra të qytetit, frymëzim për piktoren durrsake është pa dyshim vetë rrugica, por jo vetëm. Sipas artistes Kanto, piktura e krijuar nga dora e saj do të dallohej nga elementet që ajo parapëlqen t’i përdorë në punimet e saj.

Punimet e krijuara prej saj ngjallin interes jo vetëm për durrsakët, por edhe për të huajt e shumtë të cilët vizitojnë qytetin. 

Por furça, bojërat e telajo nuk janë i vetmi talent apo pasion i piktores, me të cilën mbush ditën, një pjesë të mirë të kohës e kalon edhe duke dhënë leksione mbi pikturën për të gjithë ata që u pëlqen ky art. Kanë qenë të shumta edhe ekspozitat me fotografi, në të cilat Jonida është përfaqësuar denjësisht.