Në Galerinë e Arteve pamore “Nikolet Vasia” të qytetit të Durrësit është çelur ekspozita e piktorëve të ardhur nga treva të ndryshme të vendit, ku në krye të tyre ishin piktorët Kujtim Buza, Buron Kaceli, Pashk Përvathi dhe të tjerë.

Kanë qenë mbi 40 tabllo të ekspozuara nga ekipi i piktoreve pjesëmarrës, të cilat kanë sjellë kryesisht  bukurinë mbreslënëse të  periferive të kaltra të Durrësit.

Piktorët kanë përzgjedhur të hedhin në telajo peisazhet e mrekullueshme të zonës të cilat u ndoqën me interes nga vizitorët. Kjo koloni pikture është mbështetur financiarisht nga një koleksionist pikturash dhe biznesmen i zonës.

Të veçanta në këtë ekpozitë kanë qenë edhe tabllotë plot art e freski te piktorit 84-vjeçar, Kujtim Buza. Në këtë koloni kanë marrë pjesë edhe piktorë nga Kosova dhe Gjermania të cilët janë vlerësuar për veprat që kanë realizuar.

Në këtë ekpozitë janë vlerësuar shumë për forcën e shprehjes dhe të përshkrimit të bukurive reale të zonës bregdetare edhe 4 tablotë e piktores durrsake, Shpresa Milaqi.

Vizitorët kanë vlerësuar se bashkëpunimet me artistët shqiptarë kanë ndikuar në pasqyrimin e resurseve natyrore të rajonit tonë bregdetar, duke ndikuar në kthimin e Durrësit  përherë e më shumë në një destinacion të preferuar turistik. Kolonia e piktorëve është kthyer tashmë në traditë të veçantë kulturore.

K.H.