Djaloshi nga Durrësi, studenti më i ri i bioteknologjisë në Universitetin e Harvard

Postuar: 09/02/2018 - 12:15

Tashmë në universitetet perëndimore janë arsimuar dhe po vazhdojnë studimet mijëra djem e vajza nga Shqipëria, Kosova dhe viset e tjera shqiptare. Kjo gjeneratë është pasuria më e vyer e kombit shqiptar, ajo që do t’i japë vizionin, strategjinë, drejtimin dhe frymëmarrjen e duhur kombit tonë në të ardhmen. Ky brez i mirë-arsimuar përfaqëson denjësisht popullin shqiptar në arenën ndërkombëtare dhe ka luajtur rol kryesor në momentet dhe zhvillimet kryesore të tij. Pjesë e kësaj armate shqiptarësh që sakrifikon e përpiqet të arsimojë sa më mirë fëmijët e tyre janë dhe prindërit durrsakë Shani, zonja Lindita dhe zoti Mihal.

Kisha dëgjuar për rezultatet dhe pasionin e tij në shkencat ekzakte dhe pamja e Kevini Shanit ma vërtetoi më së miri këtë. Një djalosh i çiltër, me një fytyrë të pastër, me sy të mprehtë e të zgjuar, çdo shqisë e këtij djaloshi shpreh dije, intelektual i lindur.

Djaloshi i ri durrsak, studion për Bioteknologji në universitetin me emër në botë “Harvard”. Madje është i pari shqiptar që studion në këtë degë të vështirë, pasi programi universitar ka bazë shkencat ekzakte (Matematikë, Fizikë, Kimi). Por Kevini po e përballon më së miri, pasi ai deri sa të mbërrinte këtu, ka studiuar sistematikisht për vite me radhë.

Nga 8-vjeçarja në gjimnazin “Gjergj Kastrioti”, Kevini studioi jo vetëm programin e detyruar, por dhe autodidakt, herë pas herë dhe kurse të veçanta për të thelluar njohuritë e marra. Nga 2005-a deri më 2014-ën, ai ka marrë pjesë në të gjitha olimpiadat e matematikës të zhvilluara në rreth apo në shkallë vendi, në të cilat herë pas here ka fituar dhe çmime.

“Kam dashur të di njohuritë e mia reale në çdo lëndë,” thotë Kevini. “Por në ecurinë time patjetër kanë ndikuar të gjithë mësuesit e mi nga fillorja deri në gjimnaz dhe punën parapërgatitore për universitetet e SHBA-së. Shpesh, kur kam kohë të lirë këtu në Harvard, kujtoj me respekt mësuesen time të fillores Liljanën, gjithashtu shpreh mirënjohjen për mësuesit e gjimnazit, Niko Bllani, Afërdita Mataj, por dhe zonjën Teuta Domi, që më ndihmuan në përgatitjen e zotërimin e matematikës, fizikës, por dhe provimeve specifike SAT dhe TOEFL. Një punë sistematike disavjeçare në matematikë, fizikë, kimi, anglisht. Këto më ndihmuan që në provimin tek “Abraham Linkoln” në Tiranë, të fitoj pikët e duhura në TOEFL dhe SAT,” shpjegon Kevini. “Por, nuk kishte gëzim më të madh për mua, kur në ato ditë qershori të vitit 2014, më erdhi lajmi i mrekullueshëm, kisha fituar bursë për bio-teknologji në Harvard! U çuam të gjithë më këmbë, atmosferë feste dhe gëzimi mbretëroi që nga ajo ditë në shtëpinë tonë. Natyrisht unë kisha aplikuar dhe në universitete të tjera, prisnim dhe përgjigje, por Harvardi i vulosi të gjitha. Ëndrra ime u realizua, Zoti ma vlerësoi mundin tim e të prindërve të mi dhe nga ai çast më mbërthyen ethet e përgatitjes drejt auditoreve të këtij universiteti elitar,” më thotë Kevini, ndërsa i shkëlqenin sytë, sa herë e kujtonte këtë ngjarje.

E kush s’i ëndërron këto universitete?! Por fitimtari është ai që këmbëngul, studion, sakrifikon, heq diçka nga kënaqësitë e moshës apo rutina e përditshme e kafesë. Kështu në gusht të vitit 2014, djaloshi durrsak me valixhet në krahë, me plot ëndrra e dëshira ju drejtua auditoreve të Harvardit. “Unë e kam filluar vitin akademik më 21 gusht 2014 si pjesë e “Freshmen International Program”, një program orientues për studentët jo-amerikanë, ku si bazë kishte njohjen dhe përvetësimin e kulturës amerikane, si të përshtatemi me jetën akademike në kolegjet në Amerikë, anglishtja, shkrimi akademik, përgatitjet e dokumenteve, etj,” tregon Kevini për ditët e para të studimit. “Sigurisht që fillimi ka dhe vështirësitë e veta, nuk është e lehtë të orientohesh me ambiente dhe kampusin e këtij universiteti gjigant,” vijon Kevini.

Edhe pse shumë mirë i organizuar, për një student nga një vend tepër i vogël, gjetja e sallave të leksioneve ishte një problem më vete. Më pas vinte asimilimi i kulturës amerikane dhe përshtatja me një trupë studentore të përbërë nga studentë prej 40 vendeve të botës, plus kultura e punës, mungesa e kohës, faktorët social, pjekuria, etj. “Normale, që edhe anglishtja nuk qe e thjeshtë, pasi unë nuk kisha studiuar kurrë në anglisht në një nivel akademik.” Pyetjes se çfarë këshillon për të rinjtë dhe të rejat shqiptare që duan të studiojnë në SHBA, Kevini iu përgjigj kështu: “Këshilla ime është që të fillojnë përgatitjen për provimet e SAT dhe TOEFL, sa më herët të jetë e mundur, të investojnë në mësimin e anglishtes që në klasat fillore, të pyesin sa më shumë studentë që po vazhdojnë aktualisht jashtë vendit dhe që i kanë përfunduar ato. Mund t’i informoj dhe për diçka të rëndësishme: Unë dhe disa studentë të tjerë shqiptarë këtu në SHBA, kemi ndërmarrë një nismë për të ndihmuar bashkëkombasit tanë për të studiuar jashtë vendit në shkolla elitare internacionale, ashtu si dhe ne. Ne kemi krijuar një faqe në FB, në mënyrë që çdo nxënës, mësues ose prind të këtë mundësinë të na kontaktojë lehtësisht. Kjo nismë është mënyra jonë e të kontribuarit në zhvillimin e kombit tonë, duke i dhënë mundësinë nxënësve të talentuar të vendit tonë të aplikojnë për të marrë një edukim elitar dhe të bëhen liderë të së ardhmes.

Duke i kërkuar një mendim se çdo të thotë të studiosh në SHBA, inxhinieri i ardhshëm bioteknolog u shpreh: “Për mua të studioj në SHBA, është një ndër mundësitë më të mëdha që më është dhënë në jetë. Ndaj po punoj fort t’i marr të gjitha frytet në sajë të një vullneti të hekurt dhe dashurisë për arsimin. Në të ardhmen kam dëshirë të vazhdoj shkollën e mjekësisë, por më parë dua të punoj në fushën e bio-inxhinierisë, shkurt në kërkimin shkencor.” 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

   “La memoria del Vento” (Kujtesa e erës), 50 vjet të Shqipërisë në histori fotografike titullohet ekspozita fotografike e fotoreporteri

   Biblioteka Publike Durrës, në bashkëpunim me Klubin e Shkrimtarëve dhe Artistëve, organizoi përurimin e dy romaneve të autorit Vaso Pa

   “La memoria del vento” është libri i fotoreporterit Italian Luca Turi, që do të promovohet 24 orëve të ardhshme në portet e Barit (Ita

   Klubi i Artit dhe Kulturës Sigal në Durrës javën e kaluar mikpriti shkrimtarin Stefan Çapaliku, i cili prezantoi dy vëllimet e parë të

"Mbrëmje maji me Gladiolë" është titulluar takimi poetik i organizuar nga Bashkia e qytetit të Durrësit.

Në Galerinë e Arteve pamore “Nikolet Vasia” të qytetit të Durrësit është çelur ekspozita e piktorëve të ardhur nga treva të ndryshme të v

Eurovisioni është kthyer ditët e fundit në një nga temat më të diskutuara në vendin tonë dhe kjo pasi në Lisbonë të Portugalisë, në final

   Eurovisioni këtë vit po mbahet në Lisbonë, ndërsa jemi vetëm 24 orë larg natës finale.