Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, zbatoi projektin për mbulimin e mozaikut të Bazilikës së Shën Mëhillit në Arapaj, të qytetit të Durrësit.

Mbulimi i mozaikut është kryer me konstruksion druri dhe tjegulla marsejeze, të cilat do të mbrojnë mozaikun ndaj reshjeve dhe kushteve atmosferike sipas projektit të miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve.

Bazilika është monument kulture i kategorisë së parë shpallur me vendim nr. 8, datë 18.02.1987. Monumenti, datohet në shek. V Pas. Kr., rreth viteve 20 – 30 faza e parë e bazilikës. Faza e dytë përfshin shek. XII – XIV Pas. Kr., përcaktojnë shndërrimin e këtij ndërtimi njëherësh me kishën dhe varrezat.

I takon tipit të bazilikave tri konke dhe me transept, që zhvillohet sipas një plani gjatësor lindje perëndim (65 x 28 m) e përbër nga bema, naosi, atriumi dhe ambjentet anësore. Absida lindore karakterizohet nga diametri i saj 7 m, dhe me trashësi muri 1.5 m.

Dy absidat e tjera në anë nga veriu dhe jugu, janë më të vogla. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, bën me dije se në bemë përpara presbiterit, ruhen mbetjet e altarit. Bema si dhe altari kanë qenë të trajtuara me kolona, pilastra me harqe, mbeturinat e të cilave janë gjetur in situ. Naosi ndahet në tre nefe. Nefi qëndror ndahej prej nefeve anësor me arkada.