Në odeonin “Nikolin Xhoja” të pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” është zhvilluar pasditen e djeshme, nje aktivitet artistiko-kulturor nga dy nxënës durrsakë. Artistët e vegjël Reimond Alushi dhe Eni Duka, të dy nxënës te klasës së nëntë, ishin protagonistë të këtij aktiviteti.

Aktiviteti u konceptua në dy pjesë për artdashësit që ndoqën mbrëmjen kulturore.

Fillimisht u dha një koncert recital në piano, ndërsa në pjesën e dytë ata mundën të shijonin punimet e paraqitura në një ekspozitë pikture në hollin e teatrit.

Reimond Alushi ka studiuar që në moshën 7-vjeçare në piano dhe është vleresuar me çmime të ndryshme në konkurse brenda dhe jashtë vendit.

Mjafton të përmendim çmimin e tretë në kategorinë e vet, në konkursin “Art Kosova”, të zhvilluar në Prishtinë, në qershor të këtij viti..

Mes emocionesh, ai interpretoi pjesë nga kompozitorë si Bethoven, Bach, Chopen, duke u duartrokitur nga publiku.

Eni Duka, ndonëse është nxënëse ne klasën e nëntë, ka sjellë një ekspozite me punime mbresëlënëse, ku spikat fantazia dhe individualiteti krijues.

E talentuar, si në pikturë edhe në skulpturë, ajo është një shembull për t’u ndjekur nga bashkëmoshatarët e saj.

K.H.