Sot Muzeu Arkeologjik pati dy vizitorë të pazakontë, hyjneshën Artemisë dhe gladiatorin Redon. Këto personazhe që vijnë nga thellesitë e shekujve të Durrësit të lashtë u krijuan nga dy nxënës të shkollës “Vinçenc Prendushi” të Durrësit.

Në kuadër të nismës “Edukimi përmes kulturës”, Muzeu Arkeologjik i Durrësit ka vijuar prezantimin dhe njohjen e brezave të rinj me trashëgiminë mjaft të pasur kulturore të qytetit bregdetar.

Në një postim në Facebook, drejtoria rajonale e Kulturës Kombëtare shkruan se dy nxënësit e shkollës jo publike “pasi u njohën në mënyrë të hollësishme me koleksionet e Muzeut Arkeologjik, pas një pune kërkimore, krijuan një guidë të tyren, duke bërë kështu një interpretim të trashëgimisë që ne kemi në Muze. Dy nxënësit tanë ftuan sot një grup shokësh të tyre më të vegjel, po nga kjo shkollë, për ta prezantuar rrëfimin e tyre për ta”.

Më tej, në postimin e saj DRKKD-ja nënvizon se synon “përmes përfshirjes konkrete të ndërgjegjësojmë brezin e ri për hapësirat që ofron Muzeu dhe trashëgimia në përgjithësi, për të nxitur kreativitetin, për punë kërkimore, për të zhvilluar aftësi e kompetenca të komunikimit, interpretimit, shprehjes së kulturuar e bashkëveprimit shoqëror”.