Rikthehet historia e dashurisë e Anastasia dhe Kristian, dy personazhet kryesore të Fifty Shades tashmë në kapitullin e tij të tretë të titulluar “Fifty Shades Freed”.

Drama erotiko-romantike vjen në Shqipëri një ditë para se të shfaqet për publikun amerikan, më 8 shkurt në orën 19.00 dhe, si në dy filmat e mëparshëm, me surpriza dhe bileta të shitura ditë më parë në kinema Millennium.

Kapitulli i tretë ndjek “Fifty Shades of Grey” (2015) dhe “Fifty Shades Darker” (2017) dhe është drejtuar nga James Foley dhe shkruar nga  Niall Leonard, bazuar në librin me të njëjtin titull të  E. L. James.

Në rolet e Anastasia Steele dhe Christian Grey vijnë sërish aktorët Dakota Johnson dhe Jamie Dornan teksa këta të dy janë të sapomartuar por sërish jo të qetë, pasi duhet të rishikojnë mëkatet e së shkuarës ndërsa Jack Hyde vijon të kërcënojë marrëdhënien e tyre.

Në kast natyrisht është edhe këngëtarja me origjinë shqiptare Rita Ora, në rolin e motrës së Grey, sikundër që nga kapitulli i parë i këtij filmi.

Kënga kryesore e filmit “For You” është performuar nga Rita Ora dhe Liam Payne, dhe është transmetuar për herë të parë më 5 janar 2018.

Ora aktore dhe këngëtare në film, të tjerë këngëtarë që janë përfshirë në albumin e këngëve që shoqërojnë filmin janë: Sia, Ellie Goulding, Hailee Steinfeld, Miike Snow dhe këngëtarja tjetër me origjinë shqiptare Dua Lipa.

Xhirimet e “Fifty Shades Freed” sidomos skenat e nxehta filluan njëkohësisht me “Darker” në shkurt të vitit 2016 në Paris dhe në Vankuver.  Filmi  do të dalë në kinematë amerikane më 9 shkurt, një ditë pasi të kenë filluar projeksionet për publikun shqiptar.  “Fifty Shades Freed” është parashikuar që të arkëtojë 37–40 milionë dollarë në fundjavën e parë të projeksioneve ne kinematë amerikane./e.caushi/

Skeda e filmit

Titulli: Fifty Shades Freed (2018)

Regjia: James Foley

Skenari: E.L. James, Niall Leonard

Aktorë: Dakota Johnson, Jamie Dornan, Arielle Kebbel, Rita Ora

Kohëzgjatja: 105 minuta

Gjinia: Dramë, Romance, Triller

Sinopsi: Anastasia dhe Kristian martohen por Jack Hyde vijon të kërcënojë marrëdhënien e tyre.

/ATA/