Pesë instrumentistë ballkanas kanë qenë dje protagonist të koncertit, që u organizua në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, në kuadër të edicionit të 13-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës.

Kuinteti i artistëve nga vendi ynë, Maqedonia, Turqia dhe Greqia fitoi duartrokitjet e artdashësve të shumtë nga Durrësi dhe Tirana, që ndoqën koncertin e dytë të këtij edicioni.

Katër instrumentistët e harqeve, si një ansambël me përvojë të gjatë, mbështetën artistikisht interpretimin e klarinetistit Spyros Mourikis, i cili kishte zgjedhur dy vepra të njohura të literaturës muzikore.

Kuinteti 581 nga W. A. Mozart (1756 – 1791) dhe veçanërisht Kuinteti në Si b maxhor Op 34 nga Carl Maria von Weber (1786 – 1826) shpalosën teknikën e lartë të instrumentistëve dhe veçanërisht të klarinetistit nga Greqia.

Edhe gjatë këtij edicioni organizatorët e Festivalit Nevila dhe Saimir Kalaja kanë preferuar që tingujt e muzikës së përzgjedhur të Dhomës ti sjellin në mjediset e Muzeut arkeologjik më të madh të vendit.

Edicioni i këtij viti përfshin shtatë koncerte me instrumentistë vendas dhe të huaj deri më 14 korrik. /Gëzim Kabashi