*Liutieri Edmond Sinani leksion për krijimin e violinave në Durrës

Një leksion për historinë e instrumentit të violinës ka mbyllur mbrëmjen e kaluar të Bienales 2017 në Durrës, ndërkohë që sot paradite, trioja instrumentale e veprimtarisë ishte mysafire në Institutin e Minorenëve në Kavajë.

Liutieri Edmond Sinani në hollin e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” ka mbajtur të mbërthyer vëmendjen e të pranishmëve, kur foli për historinë e krijimit të violinës, si dhe për emrat më të mëdhenj të liuterisë nga Amati, Stradivari, Guarnieri, etj. Leksioni i mjeshtrit shqiptar Sinani është pjesë integrale e edicionit të Tetë të Bienales muzikore që organizohet në Durrës çdo dy vjet nga violinisti Florian Vlashi.

Vlashi, së bashku me koleget Irina Nanushi dhe Rediana Lukaçi, sot paradite ishin mysafirë në Institutin e Minorenëve të Kavajës. Artistët luajtën një nga partiturat e njohura të Moxartit para të rinjve që kryejnë dënimin në këtë Institut.

“Bienalja muzikore 2017” edhe sot u zhvendos nga Durrësi në Kavajë pa zhurmë mediatike, njëlloj si dy vjet më parë kur babë e bir, Florian dhe Daniel Vlashi interpretuan si duet violinash në Institutin e Minorenëve, që funksionon prej 6 vjetësh në qytetin e Kavajës.

Pas koncertit, artistët kanë biseduar së bashku me djemtë e moshave 14-18 vjeç, të cilët kryejnë dënimet për krime të ndryshme.

Në kuadër të programit “Muzikë jashtë sallave” edhe dje paradite artistët e Bienales 2017 interpretuan në hollin e Spitalit rajonal për pacientët, të afërmit e tyre si dhe mjekët e personelit.

G.K.