Ilia Terpini, një nga personazhet e rëndësishëm të historisë se kamerës e fotografisë shqiptare është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare, në kryeqytetin francez, Paris.

Terpini lindi në një mjedis artistësh në Hocishte të Koracës dhe gjithçka do të ndryshonte në jetën e tij kur i ra në dorë një aparat.

“Ishte një italian që ma dhuroi. Ky ishte shkaku që mua më hyri në gjak fotografia dhe paralel me këtë fillova pak me vizatimin”,do të shprehej ai kohë më parë. 

“Një profesionist i vërtetë që përmes punës së palodhur, modestisë dhe artit në përcjelljen e imazhit u bë shembull frymëzues për këdo që e njohu dhe pati mundësi të punonte me të. Ai dha një kontribut të çmuar edhe në Durrës. Në fillim të viteve 2000, Ilia qe pjesë e stafit të operatorit televiziv Real TV.

UGD i bashkohet dhembjes së familjarëve dhe miqve të tij për humbjen e njeriut që i dha emrin e vet me punë e urti çdo realizimi filmik e fotografik në të cilin u përfshi! Pushofsh në paqe, Ilia Terpini!”, shkruan në Facebook kryetarja e Unionit të Gazetarëve të Durrësit, Vali Qyrfyçi.

Kamera e tij ka realizuar prodhimet kinematografike më të suksesshme para viteve 90-të si filmin “Dimri i fundit”, “Ballë për ballë”, “I teti në bronx”, “Mësonjtorja” apo “Flutura në kabinën time”. Kritika e quajte gjithnjë si poetin e ekranit për mënyrën sesi kamera e tij arrinte të fokusonte detajet.