Është ndarë sot nga jeta, “Mjeshtri i Madh” Rexhep Çeliku, solisti i parë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Rexhep Çeliku vuante nga një sëmundje e rëndë dhe i mbylli sytë për herë të fundit rreth orës 2:30.

Vetëm pak ditë më parë, Presidenti Ilir Meta i dha titullin “Nderi i Kombit”, ceremoni në të cilën Mjeshtri Çeliku u paraqit vetë, edhe pse i sëmurë.

Rexhep Çeliku ka lindur më 19 korrik 1954 në Tiranë. Që nga viti 1976 ka punuar solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe numëron në reportorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar mbi 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.

Ai ishte nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin “për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin”.