Arti shqiptar në zi! Ndahet nga jeta shkrimtari i mirënjohur shqiptar Loni Papa. Dramaturgu dhe autori i letërsisë për fëmijë ka ndërruar jetë në Montreal të Kanadasë në moshën 86-vjeçare. Kujtojmë se vepra e tij më e njohur është drama “Cuca e Maleve”.

Mësohet se ceremonia e lamtumirës do të mbahet në Tiranë, ditët e ardhshme.

Kush ishte Loni Papa?

Papa u lind më 28 mars të vitit 1932. Ai ka lëvruar në gjininë e dramaturgjisë, prozës, poezisë dhe letërsisë për fëmijë. Vepra e tij më e njohur është drama “Cuca e Maleve”. Autor i më shumë se 35 veprave letrare të botuara dhe laureat i Çmimit të Republikës e i disa çmimeve kombëtare. Papa mban titullin “Qytetar Nderi” i qytetit të tij të lindjes, Lushnje, për kontributin e përkushtimin e tij në letërsinë shqipe.