Me rastin e 20 nëntorit 1943, në lapidarin simbol të kësaj dite, Bashkia e Durrësit ka organizuar një ceremoni në përkujtim të gjithë atyre të rinjve luftëtarë e patriotë që u internuan në kampet e përqëndrimit nga nazistët gjatë luftës së dytë botërore. Në këtë ceremoni merrnin pjesë Kryetari i Bashkisë Vangjush Dako, kreu i këshillit të qarkut Alfred Mullaraj, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor e qëndror, veteranë të luftës etj.

Të pranishmit bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule në nderim të sakrificave të gjithë atyre të rinjve që u persekutuan dhe u internuan në kampet e shfarosjes masive gjatë pushtimit naziste të vendit. Në mëngjesin e 20 nëntorit të vitit 1943 qytetarët durrsakë përjetuan një ngjarje tronditëse, bastisjen e shtëpive nga nazistët dhe marrjen me forcë të bijve të tyre.

Këta të rinj durrsakë u sollën me dhunë në fushën e Shkozetit, aty ku ndodhet ky lapidar, dhe më pas i hipën nëpër kamionët e ushtrisë gjermane duke i dërguar fillimisht në burgun e Tiranës e po atë ditë në kampet e shfarosjes si në Prishtinë, Mathauzen, Dakau etj.

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako pasi kreu homazhet dhe vendosi kurorë me lule në lapidarin që përkujtoi patriotët durrsakë, deklaroi se sakrificat e këtyre njerëzve dhe të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për lirinë e Durrësit dhe të krejt vendit do të përkujtohen me nderim në çdo kohë.

Në emër të Bashkisë fjalën e rastit e mbajti drejtori i arsimkit, kulturës, rinisë, sporteve dhe komuniteteve fetare në Bashkinë e Durrësit Adrian Gurra.

Në këtë ceremoni e kanë marrë fjalën edhe veteranë të luftës të cilën sollën kujtimet e tyre nga lufta antifashiste nacionalçlirimtare dhe nga dita kur të rinjtë patriotë të Durrësit u internuan drejt kampeve të përqëndrimit.